Bulqizë, shemben argjinaturat, minatorët s'ndërpresin grevën
BULQIZE- Miniera e Bulqizës rrezikon seriozisht jetën e 13 minatorëve, të cilët që prej më shumë se dy javësh janë ngujuar në grevë urie, 1400 metra nën tokë.
Mbrëmë, rreth orës 21:20 është dhënë alarmi për shembje brenda galerive në minierë, ndërsa 4 specialistë kanë hyrë në thellësitë e nëntokës. Pas verifikimeve të bëra mësohet se janë çarë tubat e ajrimit në nivelin e 14-të, ku ndodhen grevistët. Gjithashtu, janë konstatuar shembje të armaturës së minierës si dhe bllokim të kanaleve anësore. Sipas specialistëve, situata brenda në minierë është alarmante dhe se grevistët rrezikojnë të vdesin brenda në galeri.
Minatorët kanë hyrë sot në ditën e 15- të të grevës së urisë, ndërsa mbrëmë u raportua se 3 prej minatorëve kanë shfaqur shenja të një gjendjeje shëndetësore të rënduar, megjithatë, nuk kanë pranuar të largohen nga miniera, por kanë marrë serum brenda galerisë.
Ndërkaq përfaqësues të konfederatës sindikale të minatorëve shprehen se situata është përkeqësuar për shkak të diversionit që po bëjnë drejtuesit e kompanisë "ACR", si dhe “kërcënimeve me telefon”. Ata shprehen të vendosur për të vazhduar grevën.
Ministria e Energjetikës dhe LSI ka bërë apel për dialog për zgjidhjen e situatës. Minatorët kërkojnë rritje page në masën 40%, përmirësim të kushteve të punës, ulje të moshës së daljes në pension dhe largimin e përfaqësuesit të kompanisë ACR. Firma ka pranuar të rrisë 20% pagat dhe të nisë investimet në minierë.
0 comments:
Post a Comment