
Juventusi tashmë ka vendosur që të hidhet në një sulm frontal, në mënyrë që t’i rikthehen dy titujt e hequr nga Federata Italiane e Futbollit.
Presidenti i bardhezinjve, Andrea Anjeli, ka mbajtur një konferencë të posaçme në romë, ku ka thënë se Juventusi, pas zbulimit të fakteve të fundit, do të bëjë gjithçka për të rikthyer titujt e fituar në fushë dhe që ju hoqën në mënyrë të padrejtë në tavolinë.
“Titullin e vitit 2005-2006 e fituam në fushë me 91 pikë, ndërsa dikush tjetër na e grabiti në tavolinë. U konsiderua si titulli I të ndershmëve, por në fakt është një titull i paraparë. Do të luftojmë në të gjitha institucionet që të na rikthehet”, është shprehur presidenti i Juventusit, Andrea Anjeli.
Ky i fundit ka thënë se është bërë një trajtim i pabarabartë për Juventusin në vitin 2006 dhe tashmë ka ardhur koha që drejtësia të vihet në vend.
Anjeli i është referuar fakteve të fundit të prokurorisë, e cila ka zbuluar se edhe Interi, ekipit që ju dha titulli i Juventusit në tavolinë, ka qenë i përfshirë në ndikimin tek gjyqtarët.
Për këtë arsye, bardhezinjtë kërkuan që Interit t’i hiqet ky titull dhe t’i kthehet Juventusi, por Federata nuk e mori parasysh këtë kërkesë, duke qenë se sipas ligjit italian, një çështje, nëse kalon 5 vjet, nuk mund të rihapet më.
Për këtë arsye, Anjeli ka thënë se Juventusi do t’i drejtohet Gjykatës Kombëtare Arbitrare të Sportit, gjithë institucioneve të mundshme të drejtësisë në Itali dhe po ishte e nevojshme, edhe Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.
Anjeli ka thënë se Juventusi i është krijuar një dëm shumë i madh ekonomik dhe moral, por, nëse Federata Italiane e Futbollit vendos që t’u riktheje bardhezinjve dy titujt e hequr, atëherë çështja mbyllet me kaq dhe Juventusi nuk do të kërkojë dëmshpërblim.
Juventusi është ekipi që ka vuajtur më shumë nga procesi “Kalçiopoli”, edhe pse në fakt u zbuluan fakte inkriminuese edhe për melanin, Fiorentinën dhe disa ekipe të tjera.
Së fundmi, kanë dalë në skenë përgjime, të cilët tregojnë se zëvendëspresidenti i Interit, Faketi, që tashmë nuk jeton më, komunikonte në telefon
me arbitrate dhe me drejtuesit e tyre.
Për këtë arsye, duke qenë se Interi e mori titullin pikërisht për ndershmëri, pasi mendohej se nuk ishte përlyer në këtë çështje, tashmë zikaltërit nuk kanë asnjë të drejtë morale për ta mbajtur këtë titull.
Por, presidenti i Interit, Masimo Morati, vazhdon me hipokrizinë e tij të thotë se ky titull i takon Interit, edhe pse ai u fitua në fushë nga Juventusi, ndërsa faktet e fundit tregojnë se zikaltërit nuk kanë qenë më të pastër se bardhezinjtë.
Tashmë tifozët bardhezinj kërkojnë drejtësi dhe kjo drejtësi nuk mund të vijë veçse me kthimin e titujve të hequr.
Do të ishte minimumi që drejtësia italiane mund të bënte për Juventusin, duke parë si u përndoq dhe shkatërrua ky ekip, një nga më të fortët në Europë dhe botë gjatë atyre viteve.
(©/Tema/Alb-Portal)
Read more...