Kroaci, turizmi shënon rritje rekord që nga fillimi i vitit
ZAGREB- Kroacia është duke thyer rekorde për sa u takon vizitave të turistëve, sidomos në bregdetin e Adriatikut, me një rritje prej 8 për qind të numrit të turistëve e regjistruar që nga fillimi i 2011, shprehu kënaqësinë sot ministri i Turizmit, Damir Bajs.
"Nëse flasim për shifra të vizitave dhe rezervimet 24-orëshe, është shumë e sigurt se flitet për vitin më të suksesshëm për turizmin kroat", deklaroi Bajs në televizionin kombëtar, HTV.
"Kishim njoftuar një stinë të mirë. Ajo nuk ka mbaruar ende, por shifrat tregojnë se mund të jetë më lart nga parashikimet tona", shtoi ai.
Sipas shifrave të publikuara nga Ministria e Turizmit, 6,2 milionë vizita turistike janë regjistruar në periudhën janar-korrik, gjë që përbën një rritje prej 8 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë në 2010, ose rreth 450 000 turistë më tepër. Rreth tre milionë turistë, 2,7 milionë prej të cilëve të huaj, janë regjistruar në korrik, gjë që përbën një rritje prej 4,8 për qind në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, që përbëjnë gjithsej 9,8 milionë rezervime në 24 orë (+3%).
Numri i vizitave turistike është rritur gradualisht në Kroaci që prej përfundimit të luftës së viteve 1991-95, për të arritur në 2008, vit rekord, në rreth 11,3 milionë (ndër të cilat 9,4 milionë të huaj) për një vend me 4,2 milionë banorë.
Kroacia, e goditur rëndë nga kriza ekonomike botërore që prej 2009-s, mbështetet këtë vit tek turizmi për të rifilluar me rritjen ekonomike. Pas një rënieje prej 5,8 për qind të PBB-së së saj në 2009-n dhe me 1,2 për qind në 2010-n, ky vend i Ballkanit, që pritet të anëtarësohet në Bashkimin Evropian në 2013, ka vazhduar me një recesion në 2011, duke shënuar rënie prej 0,8 për qind në tremujorin e parë, në ritëm vjetor. Sipas shifrave zyrtare, në 2010-n, Kroacia ka regjistruar 10,6 milionë vizita turistike, ndërkohë që sektori ka sjellë të ardhura me vlerë 6,2 miliardë euro.
(©/BalkanWeb/Alb-Portal)
0 comments:
Post a Comment