Vlorë, panairi i librit zgjon interesin e qindra lexuesve
VLORË- Edicioni i 13-të i Panairit të Librit "Vlora 2011", që është çelur në qytetin e Vlorës prej datës 5 gusht, ka zgjuar interesin e qindra lexuesve, qytetarë vlonjatë dhe pushues nga rrethe të ndryshme të vendit, madje edhe të huaj. Në orët e mbrëmjes, stendat e këtij panairi vizitohen nga mjaft dashamirës të librit, të cilët interesohen për titujt e rinj, apo për botime të muajve të fundit si dhe të tjera të realizuara më parë.
Panairi i Librit "Vlora 2011" ka shtuar më tej gjallërinë në mjediset e Skelës, që tashmë në verë shndërrohet në epiqendrën e jetës në Vlorë. Panairi i Librit "Vlora 2011", ka hyrë në edicionin e tij të 13-të. Në të janë përfaqësuar 50 botues nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, me rreth 10.000 tituj librash.
Mes tyre përfshihen shtëpitë botuese "Toena", "Onufri", "Dudaj", "Scanderbeg Books", "Bota Shqiptare", "Fan Noli", "Alb-As", "IDK", Akademia e Shkencave e Shqipërisë, si edhe mjaft shkrimtarë vlonjatë, që kanë stendat e tyre.
Sot në mbrëmje pritet të zhvillohet ceremonia zyrtare e çeljes së panairit, ku të ftuar do të jenë shkrimtarë, poetë, akademikë e personalitete të jetës publike nga Shqipëria dhe trevat e banuara nga shqiptarët.
Gjatë ditëve të panairit do të ketë një numër aktivitetesh, ku përfshihen edhe ato të prezantimit të krijimeve nga autorë vlonjatë si historiani Bardhosh Gaçe, apo Miliano Stefa, Çlirim Hoxha, Hiqmet Meçaj, Myrteza Mara, Lefter Çipa, Nase Jani, etj. Panari do të qëndrojë i hapur nga ora 18.00-24.00, për periudhën 5-12 gusht. Ky aktivitet organizohet nga Shoqëria e Librit Shqip dhe Bashkia e Vlorës, me mbështetjen e Klubit "Petro Marko", Shoqatës Kulturore Atdhetare "Ismail Qemali", shoqatës "Labëria", Qendrës Kulturore Vlorë, Bibliotekës Publike "Shevqet Musaraj", etj.
Ky aktivitet është i dyti që organizohet gjatë këtij viti në qytetin e Vlorës. Në muajin prill u përfaqësuan 40 botues me rreth 5000 tituj.
0 comments:
Post a Comment